Jubileu 2025

Shtegtarët e Shpresës

Tradita Hebraike

Jubile” është emri i një viti të veçantë: duket se rrjedh nga instrumenti yobel, briri i dashit, tingulli i të cilit shpall Ditën e Shlyerjes së mëkateve (Yom Kippur). Kjo festë përsëritet çdo vit, por merr një kuptim të veçantë kur përkon me fillimin e vitit jubilar. Një ide e parë e tij gjendet në Bibël: duhej të shpallej çdo 50 vjet (shih Lev 25,8-13). Ky vit paraqitej si një mundësi për të rivendosur marrëdhënien e drejtë me Zotin, mes njerëzve dhe me krijimin, duke përfshirë faljen e borxheve, kthimin e tokave të huazuara dhe pushimin e tokës.

Historia e Jubileut në Kishën Katolike

Papa Bonifaci VIII shpalli Jubileun e parë në Kishën Katolike në vitin 1300, i quajtur gjithashtu “Viti i Shenjtë”, sepse është një kohë kur shenjtëria e Zotit na transformon. Frekuenca e tij u reduktua në 25 vjet në vitin 1470 nga Papa Pali II. Gjithashtu ka pasur edhe momente ‘të jashtëzakonshme’, si p.sh. në vitin 2015 kur Papa Françesku shpalli Vitin e Mëshirës. Mënyrat e kremtimit kanë ndryshuar: fillimisht përkonte me vizitën në Bazilikat romake të Shën Pjetrit dhe Shën Palit, pra me pelegrinazhin. Më pas u shtuan edhe shenja të tjera, siajo e Portës së Shenjtë dhe kishat jubiliare në mbarë botën.

Kuptimi shpirtëror për besimtarët

“Viti i Shenjtë” synon të jetë një kohë e rëndësishme reflektimi dhe rritjeje shpirtërore, ku Kisha i fton të gjithë besimtarët të rizbulojnë fuqinë transformuese të Mëshirës, përmes gjesteve konkrete të pendesës dhe bamirësisë.

Shenjat Jubiliare

Shenjat fizike dhe shpirtërore që shoqërojnë Jubileun janë të shumta.
Pelegrinazhi: Simbolizon kalimin, që karakterizon ekzistencën njerëzore, nga jeta tokësore drejt destinacionit të përjetshëm në Qiell.
Porta e Shenjtë: Vendosur në Bazilikat e Romës, përfaqëson derën e Shtëpisë së Atit Qiellor që qëndron e hapur për ata që kthehen tek Zoti me pendesë dhe konvertim.
Indulgjenca (Ndjesa e plotë) Jubiliare: Si debitorë të mëdhenj ndaj Zotit, përmes lutjes, veprave të bamirësisë dhe Sakramentit të Rrëfimit, Zoti fal penalitetet shpirtërore të atyre që afrohen me zemër të penduar për të marrë faljen e Tij.
Dëshmia e Fesë: Është lutja që përmbledh të gjitha të vërtetat e Besimit. Ky akt, kulmi i pelegrinazhit në Romë, shpall bashkimin me pasardhësin e Shën Pjetrit, Papën.

Tema e Shpresës

Shtegtarët e Shpresës” është tema e Vitit të Shenjtë, që nënkupton, se shpresa te Zoti nuk zhgënjen kurrë. Gjithmonë ekziston mundësia për ndryshim dhe shëlbim; Zoti nuk lodhet kurrë duke na pritur, sepse porta e Tij është e hapur për të gjithë. “Jubileu hapet që të gjithëve t’u dhurohet shpresa, shpresa e Ungjillit, shpresa e dashurisë, shpresa e faljes” (Papa Françesku, Homelia e Krishtlindjes, 2024).

Gjeste të Papa Françeskut

Papa Françesku hapi zyrtarisht Vitin Jubilar natën e Krishtlindjes (Shën Pjetri, 24 dhjetor 2024), duke u bërë Papa i parë që hap një Portë të Shenjtë në karrocë. Si një gjest simbolik i vëllazërisë dhe ndjekjes së Shpirtit, të parët që kaluan Portën e Shën Pjetrit ishin njerëz të moshave dhe kombësive të ndryshme, duke paraprirë kardinalët. Porta e dytë e Shenjtë e hapur në Romë nga Papa Françesku ishte në një burg, si një simbol i shpresës, që hap dyert për të gjithë (Burgu Rebibbia, 26 dhjetor 2024). Papa gjithashtu bëri thirrje të fuqishme për paqe dhe barazi sociale, duke kërkuar anulimin e borxheve për vendet e varfra (Mesazhi Urbi et Orbi, 25 dhjetor 2024).

Jubileu në Arqidioqezën e Tiranë-Durrësit

Të dielën, më 29 dhjetor 2024, Festa e Familjes së Shenjtë, Dioqeza e Tiranë-Durrësit do të inaugurojë Jubileun në nivel lokal duke hapur Kishën e parë jubiliare, Katedralen “Shën Pali” në Tiranë. Procesioni do të nisë pranë statujës së Papa Françeskut, përpara Katedrales, në orën 9:15. Pas rënies së Kampanës së Paqes, procesioni do të vijojë drejt Kishës Katedrale. Kishat ku mund të fitohet indulgjenca jubiliare janë: Kon-Katedralja “Shën Luçia” (Durrës), Shenjtërorja Dioqezane “Nëna e Këshillit të Mirë” (Gurëz), Kapela e Kuvendit “Shën Antoni” (Laç Kurbin), Manastiri i “Shën Jozefit” (Arrameras). Një kalendar i pasur aktivitetesh dioqezane dhe kombëtare do të shoqërojë të gjitha grupet e besimtarëve dhe njerëzit e vullnetit të mirë për t’u afruar me hirin e Zotit gjatë këtij Viti të Shenjtë të Shpresës.