Katedralja

News

Qëndron i përditësuar


SHËN PALI
Apostulli i Kombeve

Statuja në pagëzimoren e Katedrales Shën Pali të Tiranës

Kështu, prej Jerusalemit e për qark Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit e madje u përpoqa ta shpall, jo atje ku ishte i njohur Emri i Krishtit mos ndërtoja mbi themelet e tjerëve por, siç është në Shkrimin e shenjtë: ‘Do ta shohin ata, ndër të cilët nuk qe kumtuar, do ta kuptojnë ata, të cilët për të nuk kanë dëgjuar.’

Rm 15,19-21

Katedralja e Shën Palit është kisha kryesore e arqidioqezës metropolitane të Tiranë- Durrësit. Është selia e Arqipeshkvit dhe qendra e veprimtarisë së tij baritore, si dhe nyja përbashkuese e të gjithë besimtarëve të dioqezës. Ky tempull u ndërtua mes viteve 1998-2002, ndërkohë që guri i parë qe vendosur dhe bekuar nga Papa Shën Gjon Pali II gjatë vizitës së tij apostolike në Shqipëri në prill të vitit 1993. Shenjta Nënë Tereza është lutur shpesh në terrenin ku do të ndërtohej katedralja duke vendosur përgjatë rrethimit medalje me imazhin e Zojës. Katedralja e Shën Palit çoi në fund një përpjekje të hershme për të pajisur kryeqytetin me një kishë katedrale. Qysh prej fillimit të 1939-ës, i Lumi Dom Shtjefën Kurti, famulltar i katolikëve në Tiranë, kapelan i Familjes mbretërore, i martirizuar nën regjimin komunist, përgatiti projektin e një katedraleje katolike që do t’i përkushtohej Shën Gjergjit dhe nxori lejet përkatëse. Mirëpo me ardhjen në pushtet të komunistëve, ndërtimi i saj u braktis.

Punimet për ndërtimin e katedrales aktuale u morën përsipër nga arkitekti italian Giancarlo Rigamonti nën mbikqyrjen e Imz. Rrok Mirditës, arqipeshkëv në atë kohë. Kontributet për financimin e tyre qenë të shumta edhe nga jashtë vendit. Urdhri sovran i Maltës u përfshi gjithashtu, çka dëshmohet nga kryqi i Maltës që mund të kundrohet në vitrazhin që rrëfen martirizimin e Shën Pjetrit. Më 26 janar 2002 Katedralja iu përkushtua Shën Palit, Apostull i Kombeve, një nga ungjillizuesit e parë të Shqipërisë. Shugurimi u krye nga Kardinali Angelo Sodano, Sekretar i Shtetit i Selisë së Shenjtë, i dërguar nga Papa Gjon Pali II si legat papnor. E konceptuar me një frymë bashkëkohore, arkitektura e Katedrales është e pasur me simbole, megjithë minimalizmin në pamje të parë. Fokusi kryesor është vendosur në teologjinë trinitare dhe kristologjike. Kjo shpjegon kudogjendjen e elementëve trikëndorë dhe përsëritjen në forma të ndryshme të numrit 3 (harqet e tabernakullit, shkallët e presbiterit, etj.).

Fasada e jashtme e Katedrales shfaq një thjeshtësi fisnike, me një ndarje treshe. Në qendër dallohet vitrazhi që ilustron rrëfimin e jetës, konvertimit dhe martirizimit të Shën Palit. Forma e vitrazhit tregon si një shigjetë shtatoren e Apostullit vendosur mbi fronton, paraqitur në petkat e predikuesit të Ungjillit “nga Jerusalemi e deri në Iliri” (Rm. XV:19). Vitrazhet që shihen në të majtë dhe në të djathtë të fasadës i bëjnë jehonë kungatës me Selinë e Pjetrit dhe Kishën e përbotshme (martiri i Shën Pjetrit, momente nga vizitat apostolike të Papëve Shën Gjon Pali II dhe Françesko, prezenca e Nënë Terezës), si edhe pajtorëve të dioqezës (Shën Luçia) dhe të vendit (Zoja e Këshillit të Mirë). Në sheshin përpara tërheqin vëmendjen shtatoret e Shën Nënë Terezës dhe Shën Mëhillit, nën hijen e ullinjve, simbole të paqes.

Në të djathtë të altarit mund të admirohet shtatorja e Zojës së Ngushëllimit, simbol i martirizimit të Kishës katolike nën regjimin komunist. E lënë në harresë në rezervat e Muzeut Historik Kombëtar pas shkatërrimit të objekteve të kultit në vitin 1967, ajo është e shenjuar nga gjymtimet dhe përdhosjet ndër vite. Në vitin 2023, shtatorja iu kthye Kishës dhe u vendos në pjesën më të shenjtë të Katedrales, midis altarit dhe tabernakullit, për t’u veneruar nga besimtarët

Mjedise të tjerë me interes në Katedrale janë pagëzimorja, në të majtë të hyrjes, kapela e Zojës në të djathtë të saj, si edhe kapela e kriptës ku prehen eshtrat e Imz. Rrok Mirditës, ipeshkëv i parë i kryeqytetit pas shfuqizimit të ateizmit shtetëror, i shuguruar arqipeshkëv i Tiranës nga Papa Shën Gjon Pali II në vitin 1993.

Zoja e Këshillit të Mirë
Nëna e Hyjit dhe Pajtore e Shqipërisë

Emri Maria i referohet Virgjërës Mari, Nënës së Jezu Krishtit, të cilën Kisha e nderon si Nënën e Hyjit (Theotokos) dhe Nënën e Kishës. Shqipëria e ka zgjedhur Virgjërën Mari si Pajtore kryesore, nën thirrjen e Zojës së Këshillit të Mirë, festa liturgjike e së cilës kremtohet më 26 prill. Për shekuj me radhë, shqiptarët i janë drejtuar asaj si mbrojtëse dhe ndërmjetësuese, duke e nderuar si Nënën e Kombit dhe shenjë të shpresës.

Sipas traditës, afresku u transferua mrekullisht nga Shkodra në Genazzano më 1467.