Lutje për thirrjet meshtarake dhe rregulltare
O Atë i mirësisë,
shiko me dashuri
Kishën tonë në Tiranë-Durrës.
Biri yt na ka thënë:
“Luteni Zotin e të korrave
që të dërgojë punëtorë
në të korrat e veta”.
Të lutemi: rizgjo në zemrat
e brezave të rinj
guximin për të ndjekur Krishtin
me dashuri dhe gëzim.
Na dhuro meshtarë të shenjtë,
rregulltarë e rregulltare
të përvujtë dhe të zjarrtë në shërbim,
që ta bëjnë të pranishme
Fjalën, Korpin dhe Mëshirën tënde!
Bëj që familjet tona,
me besim dhe gëzim,
t’i mirëpresin dhe t’i mbështesin
thirrjet e reja.
O Mari, Virgjër e Ngushëllimit,
dhe ju, Martirë shqiptarë,
ndërmjetësoni për ne,
për më të madhen lavdi të Hyjit
dhe shpëtimin e shpirtrave!
Amen.

Letër Baritore: Vit i veçantë lutje për thirrjet
Të dashur vëllezër e motra, e veçanërisht ju të rinj e të reja në Krishtin,
me gëzim dhe shpresë ju drejtohem në këtë kohë të bukur Hiri: Paqja dhe Dashuria e Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me ju të gjithë!
Jemi tashmë në fazën finale të Jubileut të Shpresës dhe pak ditë me parë kemi shpallur fillimin e një Viti të veçantë lutjeje për thirrje meshtarake dhe rregulltare. Kjo nismë, që kemi filluar me datë 15 shtator 2025, në Festën e Virgjërës së Dhimbshme, vjen në një moment të rëndësishëm për Arqidioqezën tonë, në frymën e Sinodit që dëshiron të jetë gjithnjë e më shumë një bashkësi që dëgjon, shoqëron dhe nxit përgjigjen me dashuri ndaj thirrjes së Zotit.
Në këtë frymë dhe me ndërmjetësinë e Virgjërës së Ngushëllimit, martirëve tanë të lumë Vinçens Prenushi e shokë, do të ecim gjatë këtij viti deri më 7 tetor 2026 në Festën e Zojës Rruzare, duke pasur besim në Hyjin që do t’i dëgjojë lutjet e bijve të vet në nevojë! Ne jemi të sigurtë se Maria Nëna e Tënzot, do të na marrë për dore dhe veçanërisht, do të prekë zemrat e atyre që Hyji në largpamësinë e Tij i ka menduar që në gjirin e nënës për të qenë me Të: “Zgjodhi të Dymbëdhjetët, që të jenë me Të e t’i dërgojë të predikojnë.” (Mk 3.14)
Të dashur miq, thirrja buron nga Zemra e Jezusit dhe lutja e Tij ndaj Atit, ajo është një dhuratë që lind nga brenda bashkësisë për mbarë popullin e Zotit që është gjithmonë në ecje!
Procesi sinodal që kemi përjetuar në vitet e fundit ka ngjallur shpresën për një rinovim kishtar, duke e nxitur Popullin e Zotit të kultivojë stilin e afrimitetit, dëgjimit dhe shërbimit. Në këtë frymë, edhe thirrjet për meshtari dhe jetë të kushtuar nuk janë thjesht zgjedhje personale, por fryte të një bashkësie të gjallë, e cila e vendos Krishtin në qendër dhe kujdeset për të gjithë, veçanërisht për më të vegjlit dhe më të varfrit.
Kemi nevojë që si meshtarë, motra, laikë dhe familje të transformojmë kontekstet tona kishtare, famullitare dhe ecjet e ndryshme laikale në realitete autentike komuniteti dhe familje në Hyjin, ku të rinjtë tanë sikurse në një kopësht lulesh apo në bjeshkët e hijshme dhe të larta, të përthithin përvojën e vërtetë dhe të pastër të takimit me Zotin nëpërmjet shkrimit të shenjtë, jetës sakramentale dhe veprave të bamirësisë!
Thirrja e Zotit është si një farë që rritet në tokën e bashkësisë: aty ku ka lutje, dëshmi, shërbim, dialog dhe jetë të përbashkët, pikërisht aty lulëzojnë edhe thirrjet si përvojë dhe fryt i një kungate të vërtetë me Zotin dhe me njëri- tjetrin. Prandaj, ky vit është një ftesë për të rikujtuar përgjegjësinë që kemi të gjithë për të mbështetur, ushqyer dhe shoqëruar thirrjet që Zoti ka përgatitur mes nesh por, që për të lulëzuar kanë nevojë më shumë për lutjen e Kishës dhe të secilit prej nesh. Për këtë arsye ju ftoj, ju nxis e lutem që çdo besimtar ta ndjejë këtë vit si një angazhim të fortë lutjeje me Zotin ashtu si Jakobi në Fanuel! (Zn 32. 22-30)
Papa Françesku na kujtonte se një Kishë sinodale është një Kishë që ecën së bashku, ku secili ka një vend, një zë dhe një mision. Në një realitet ku shpesh përballemi me vështirësi në përcjelljen e besimit, veçanërisht tek të rinjtë dhe në familje shpesh të lodhura për sakrificat dhe sfidat me të cilat përballen çdo ditë, është urgjente të ndërtojmë bashkësi të hapura, mikpritëse dhe formuese, ku çdo i ri mund të dëgjojë zërin e Zotit.
Thirrjet meshtarake dhe rregulltare lindin në bashkësi që jetojnë stilin ungjillor të Jezusit, ku përgjegjësitë dhe karizmat bashkëndahen me dashuri dhe ku formimi dhe lutja janë stil i jetës së përditshme.
Gjatë takimit Jubilar me të rinjtë në Romë, ku ishim me disa prej jush, Papa Leoni XIV tregoi “rrugët” praktike për të jetuar thirrjen në një marrëdhënie të gjallë me Krishtin përmes sakramenteve, lutjes dhe bamirësisë.
“Jezusi i ndryshon jetët tona… ndriçon ndjenjat, dëshirat, mendimet tona. Thirrja nuk është vetëm një zgjedhje njerëzore, por një takim me Krishtin që transformon thellësisht.” “Të dashur të rinj, shpresa jonë është Jezusi.” Thirrja nuk është vetëm përvojë personale, por edhe mision: çdo i ri është i thirrur të jetë dëshmitar në botë.
“Bëni zgjedhje radikale dhe plot kuptim si martesa, urdhri meshtarak dhe jeta e kushtuar.” (Papa Leoni Tor Vergata 3 Gusht 25)
Si bariu i kësaj Arqidioqeze aq të bukur, të gjallë dinamike dhe të bekuar, që të mos mbetet abstrakte nisma jonë, dëshiroj t’ju propozoj disa angazhime konkrete që të gjithë të ndihemi të përfshirë me plot fe, shpresë dhe dashuri!
Gjatë këtij viti, përveç formave të ndryshme që Shpirti i Shenjtë frymëzon në larmishmërinë e karizmave që ndodhen në Kishën tonë, ne mund të angazhohemi edhe në këto mënyra konkrete:
- Çdo ditë, çdo kremtim eukarestik apo lutje, të mbyllet me lutjen e posaçme për thirrjet. *
- Çdo javë të caktohet një ditë e posaçme e lutjes për thirrje në çdo famulli (p.sh. çdo të enjte).
- Orë të Adhurimit Eukaristik për thirrjet, të shoqëruara me meditime dhe dëshmi.
- Nisma lutjeje në nivel familjar dhe grupe rinore apo adoleshentësh, duke përfshirë shkollat tona katolike, lëvizjet dhe grupet kishtare.
- Takime dëshmie nga meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, për të sjellë pranë të rinjve bukurinë e jetës së kushtuar.
Sot akoma më shumë se më parë, në një kohë ku jeta virtuale po dominon jetën reale, brezi i ri ka nevojë për ne, para së gjithash duke ju dedikuar kohën tonë realisht, me shoqërim, dëgjim dhe përkrahje, pra duke dalur nga komunitetet apo kanonikat tona drejt tyre. Kisha jonë është e thirrur të ofrojë një baritore që, jo vetëm nuk gjykon apo paragjykon asnjë, kushdo qoftë historia apo prejardhja e secilit, por shoqëron në një mjedis ku të rinjtë mund të dialogojnë, të bëjnë pyetje, të kërkojnë, të luten dhe të ndihen të pranuar.
Po ashtu, familjet mbeten vatra, ku fara e thirrjes mund të mbrohet dhe rritet. Na duhet një shërbim përkrahës, plot respekt dhe i vazhdueshëm, që ndihmon prindërit të mbështesin me besim rrugën që Zoti zgjedh për fëmijët e tyre. Kur në familjet tona do të rivendosim Zotin në qendër, atëherë me të vërtetë ato do transformohen në oaze paqeje dhe harmonie, brenda një bote gjithmonë e më shumë të shkretuar nga individualizmi dhe indiferenca!
Por e tërë Kisha në të gjitha organizmat e saj është e thirrur të jetë një gurrë e freskët e jetës në kohën që po përjetojmë! Prandaj ne nuk mund të iluzionohemi se mund të kemi thirrje të reja pa pasur komunitete të formuara, që njohin Biblën, jetojnë liturgjinë dhe reflektojnë mbi sfidat e kohës sonë. Për këtë arsye, është urgjente formimi i të rinjve, i katekistëve, i familjeve dhe i barinjve brenda përvojës së vazhdueshme të bashkëbisedimit në shpirt, të meditimit dhe lutjes në format e ndryshme të saj liturgjike apo devocionale.
Le të jetë ky vit një rast i volitshëm për të:
- organizuar kurse të ndryshme formimi biblik e liturgjik;
- trajtuar tema të aktualitetit si; drejtësia sociale, paqja, migracioni, martesa dhe jeta shpirtërore,
- ndërtuar ura me ata që janë në dyshim, në distancë apo në kërkim të Zotit.
Të dashur miq ju lutem mos të shkurajohemi apo të mbyllemi në veten tonë përballë ftesës që po ju drejtoj me këtë letër me një kërkesë nxitëse; për këtë kemi edhe shembullin dhe ndihmën e shenjtërve që kanë dëgjuar dhe ndjekur zërin e Zotit siç na dëshmon dhe shën Agustini: “In interiore homine habitat veritas”- “Në brendësinë e njeriut banon e vërteta.” (De vera religione 39, 72)
Mos kini frikë që Zoti t’ju flasë në brendësinë e zemrës. Hyni brenda në intimitetin e shpirtit ku mund ta takoni Zotin që është e vërteta e thirrjes në zemrën tuaj.
E vendosim këtë vit lutjeje nën mbrojtjen e pajtorëve të Kishës sonë: Shën Pali, Shën Asti, Shën Luçia dhe i Lumi Vinçens Prenushi dhe i besohemi veçanërisht bijës fisnike të popullit tonë Shenjtes Nënë Tereza, që kur dëgjoi zërin e Zotit nuk nguroi aspak për t’ju përgjigjur Atij duke e besuar tërë jetën pranë Zojës së Letnicës!
Edhe ne besojmë që Nëna e Tënzot, Virgjëra e Ngushëllimit do të mbajë në gjirin dhe Zemrën e Saj Amnore shumë bijë e bija që në gjurmët e të parëve tanë dhe martirëve do ti thonë Zotit: PO!
Virgjëra Mari, Nëna e thirrjes dhe modeli i përgjigjes së plotë: “Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë në mua sipas fjalës sate”, lutu për të rinjtë tanë!
Të dashur vëllezër e motra, të rinj, prindër, barinj, edukatorë dhe besimtarë të përkushtuar, ju ftoj nga zemra që ta jetojmë këtë vit si një shteg lutjeje, shoqërimi dhe besimi. Le të bëhemi një Kishë që nxit thirrjen, që kujdeset për të dhe që gëzohet për çdo “PO” që shqiptohet me guxim.
Me bekimin e Zotit dhe ndërmjetësimin e Nënës së Këshilli të Mirë, Zoti na udhëheqtë së bashku në këtë vit të veçantë lutje për thirrje: “Luteni pra të Zotin e të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e veta!” (Mt 9,37-38)
Dhënë në Tiranë, pranë selisë së Arqipeshkvisë, më 19 shtator 2025
Imzot Arjan Dodaj F.d.C.
Arqipeshkëv Metropolit
Tiranë-Durrës
