Historia e Katedralës

Katedralja e Shën Palit është kisha kryesore e Arqidioqezës Metropolitane të Tiranë- Durrësit. Është selia e Arqipeshkvit dhe qendra e veprimtarisë së tij baritore, si dhe nyja përbashkuese e të gjithë besimtarëve të dioqezës. Ky tempull u ndërtua mes viteve 1998-2002, ndërkohë që guri i parë qe vendosur dhe bekuar nga Papa Shën Gjon Pali II gjatë vizitës së tij apostolike në Shqipëri në prill të vitit 1993. Shenjta Nënë Tereza është lutur shpesh në terrenin ku do të ndërtohej katedralja duke vendosur përgjatë rrethimit medalje me imazhin e Zojës. Katedralja e Shën Palit çoi në fund një përpjekje të hershme për të pajisur kryeqytetin me një kishë katedrale. Qysh prej fillimit të 1939-ës, i Lumi Dom Shtjefën Kurti, famulltar i katolikëve në Tiranë, kapelan i Familjes mbretërore, i martirizuar nën regjimin komunist, përgatiti projektin e një katedraleje katolike që do t’i përkushtohej Shën Gjergjit dhe nxori lejet përkatëse. Mirëpo me ardhjen në pushtet të komunistëve, ndërtimi i saj u braktis.

Punimet për ndërtimin e katedrales aktuale u morën përsipër nga arkitekti italian Giancarlo Rigamonti nën mbikqyrjen e Imz. Rrok Mirditës, arqipeshkëv në atë kohë. Kontributet për financimin e tyre qenë të shumta edhe nga jashtë vendit. Urdhri sovran i Maltës u përfshi gjithashtu, çka dëshmohet nga kryqi i Maltës që mund të kundrohet në vitrazhin që rrëfen martirizimin e Shën Pjetrit. Më 26 janar 2002 Katedralja iu përkushtua Shën Palit, Apostull i Kombeve, një nga ungjillizuesit e parë të Shqipërisë. Shugurimi u krye nga Kardinali Angelo Sodano, Sekretar i Shtetit i Selisë së Shenjtë, i dërguar nga Papa Gjon Pali II si legat papnor.

Zoja e Këshillit të Mirë

Nëna e Hyjit dhe Pajtore e Shqipërisë

Emri Maria i referohet Virgjërës Mari, Nënës së Jezu Krishtit, të cilën Kisha e nderon si Nënën e Hyjit (Theotokos) dhe Nënën e Kishës. Shqipëria e ka zgjedhur Virgjërën Mari si Pajtore kryesore, nën thirrjen e Zojës së Këshillit të Mirë, festa liturgjike e së cilës kremtohet më 26 prill. Për shekuj me radhë, shqiptarët i janë drejtuar asaj si mbrojtëse dhe ndërmjetësuese, duke e nderuar si Nënën e Kombit dhe shenjë të shpresës.
Sipas traditës, afresku u transferua mrekullisht nga Shkodra në Genazzano më 1467.