Leter baritore 2026

Dhurata e thirrjeve meshtarake dhe të jetës së kushtuar: “Angazhimi dhe lutja e mbarë bashkësisë së krishterë!”

Të dashur vëllezër e motra në Krishtin,

Ndërsa i afrohemi plotësimit të këtij viti të veçantë lutjeje për thirrjet, ndiej në zemër një falënderim të thellë ndaj Hyjit për lutjen e pareshtur që, nga çdo anë e Arqidioqezës sonë, është ngritur drejt Qiellit plotë besim në këtë kohë. I inkurajuar dhe i ngushëlluar nga kjo përvojë e gjallë e Kishës, që kemi jetuar si “familje e Hyjit”, dëshiroj t’i drejtohem secilit prej jush me zemër Ati dhe Bariu, për të ripërtërirë këtë ftesë për udhëtimin tonë, që të vazhdojmë ta ruajmë dhe ta kërkojmë me lutje dhuratën e thirrjeve për meshtari dhe për jetën e kushtuar, duke vijuar “procesin” e ndërgjegjësimit dhe të lutjes që tashmë kemi filluar së bashku!

Thirrjet janë vetë frymëmarrja e Kishës. Prej tyre varet vazhdimësia e shpalljes së Ungjillit, kremtimi i Sakramenteve dhe kujdesi baritor me të cilin Populli i Hyjit shoqërohet në udhëtimin e tij nëpër rrugët e historisë. Siç mësonte Shën Agustini, Kisha lind vazhdimisht bijtë e saj përmes Sakramenteve dhe Fjalës, por ka nevojë për mbarështues që e bëjnë të dukshëm Krishtin, Bariun e vetëm dhe më të Lartin [1]. Prandaj Jezusi na thotë: «Të korrat janë të shumta, por punëtorë ka pak. Luteni, pra, Zotin e të korrave…» (Lk 10,2).

Të dashur besimtarë, Arqidioqeza jonë mban të ngulitur në mishin e saj shenjën e ndritshme të martirizimit të shumë vëllezërve e motrave. Dëshmia e paraardhësit tim, të Lumit Imzot Vinçenc Prennushi, së bashku me atë të shokëve të tij martirë, është një burim që nuk shteron kurrë. Gjaku i tyre, akoma i freskët në Kishën tonë, i derdhur për besnikëri ndaj Krishtit dhe Kishës, vazhdon ta bëjë pjellore tokën tonë, siç thoshte Tertuliani: «Sanguis martyrum, semen christianorum» – gjaku i martirëve është fara e të krishterëve të rinj [2]. Ta ruajmë këtë farë shpirtërore është sot përgjegjësia jonë e shenjtë, në mënyrë që Kisha në Shqipëri, e mbirë dhe e purifikuar nëpërmjet “dimrit” të madh të persekutimit, të mund të lulëzojë në një “pranverë” të re të thirrjeve meshtarake, rregulltare!

Katekizmi i Kishës Katolike na kujton se, në sajë të Pagëzimit, të gjithë besimtarët marrin pjesë në të vetmen meshtari të Krishtit, profetike dhe mbretërore, dhe janë të thirrur në shenjtëri, secili sipas statusit të jetës që ka [3]. Por pikërisht, për të mirën e Trupit të tij, Jezusi zgjedh dhe thërret disa që të bashkëndajnë, në mënyrë sakramentale dhe mbarështimi, vetë misionin e tij si Kreu dhe Bariu i Kishës.

Që kur isha i ri, më ka tërhequr gjithmonë historia e thirrjes së Famullitarit të Shenjtë të Arsit, pajtorit të famullitarëve, Shën Gjon Maria Vianey. Ai u përball me vështirësi të mëdha në studimin e latinishtes, ishte në prag të përjashtimit nga seminari dhe rruga e tij u ndërpre madje edhe nga shërbimi ushtarak.

Asgjë tek ai nuk jepte idenë e Shenjtit që do të bëhej për mbarë Kishën. Ishte këmbëngulja, e mbështetur nga lutja dhe nga udhëheqja shpirtërore e Abat Balley që e çoi deri te altari. Kur mbërriti në famullinë e vogël të Arsit, takoi një djalosh-bari që e ndihmoi të gjente rrugën dhe i tha: «Ti më tregove rrugën për në Ars, unë do të të tregoj rrugën për në Qiell».

Ai i qëndroi besnik kësaj fjale gjatë gjithë jetës së tij, duke kaluar deri në gjashtëmbëdhjetë orë në ditë në rrëfyestore, për t’i pajtuar shpirtrat me Hyjin. Shpesh thoshte: «Sikur ta kuptonim deri në fund se çfarë është meshtari mbi tokë, do të vdisnim jo nga frika, por nga dashuria». Po, të dashur miq, të rinj e të rritur: meshtaria është dashuria e Zemrës së Jezusit.

Me ndërmjetësimin e këtij Shenjti, të Shën Nënë Terezës dhe të Martirëve tanë, dëshiroj tani t’ju drejtohem drejtpërdrejt juve, të dashur të rinj të Arqidioqezës sonë. Ty që, në fshehtësinë e zemrës sate, pyet veten mbi domethënien më të thellë të ekzistencës tënde në këtë botë; ty që ndien një trazim të shenjtë në zemrën tënde dhe pyet veten nëse është vetë Zoti që po e ndriçon jetën tënde për meshtarinë apo për jetën e kushtuar: mos ki frikë!

Siç shkruante Shën Agustini në Rrëfimet e tij: «Na ke krijuar për vete, o Zot, dhe zemra jonë është e trazuar derisa nuk pushon në Ty» [4]. Mos e mbyt brenda teje këtë trazim të shenjtë: ai nuk është një pengesë, por zëri i Hyjit që të thërret për gjëra më të mëdha.

Mos ki frikë ta dëgjosh dhe t’i përgjigjesh në thellësinë e ndërgjegjes sate, sepse Zoti vazhdon të ketë mbi ty një vështrim të veçantë dashurie. Kisha jonë, përmes famullitarëve, meshtarëve, motrave rregulltare, rregulltarëve dhe grupit të baritores së thirrjeve, është gati të të mirëpresë dhe të të shoqërojë me respekt, maturi dhe gëzim.

Nëse je një i ri nga mosha 17 deri në 35 vjeç dhe ndien dëshirën të flasësh, të bësh pyetje pa frikë, ose thjesht të ndash atë që po shqyrton në zemrën tënde, dëshiroj të të ofroj gatishmërinë time personale si Bari dhe Atë.

Mund të më shkruash lirisht në këtë adresë: [email protected]. Do të jem i lumtur të të dëgjoj, të lutem për ty dhe të të ofroj një hapësirë shoqërimi shpirtëror, për të të ndihmuar të dallosh rrugën e lumturisë sate të vërtetë në Krishtin.

Kisha, për nga vetë natyra e saj, është Shtëpi dhe Familje. Prandaj kur flasim për thirrje dëshirojmë të nisemi veçanërisht nga familja, shkolla e parë dhe e pazëvendësueshme e fesë dhe e dashurisë. Kur bashkëshortët e jetojnë me vetëdije dhe me hir Sakramentin e Martesës së tyre, shtëpia bëhet ajo “kishë shtëpiake” si një shenjtërore e vogël ku Krishti banon, flet dhe vepron [5].

Është në familje që një fëmijë mëson për herë të parë të lutet, duke parë prindërit e tij duke u lutur. Për këtë arsye ju drejtohem familjeve të bukura të Kishës sonë për t’ju kërkuar me gjithë zemër të gjithë prindërve të krishterë, që të ushqejnë tek fëmijët farën e jetës së re në fe.

Të dashur prindër, mos i edukoni fëmijët që Zoti ju ka dhuruar, vetëm me synimin për një karrierë apo për sukses ekonomik, por ndihmojini të shtrojnë pyetjen themelore: «O Zot, çfarë dëshiron të bëj unë me jetën time?». Një familje që lutet së bashku, që merr pjesë me gëzim në Sakramente dhe që di t’i besojë plagët e veta para Mëshirës së Hyjit, bëhet toka pjellore ku fara e thirrjes mund të mbijë dhe të japë fryte të begatshme.

Në këtë ecje sinodale që tashmë tërë Kisha përjeton e udhëhequr nga Papa Leoni XIV, meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret, janë të thirrur para së gjithash të jenë burra e gra që dëgjojnë Shpirtin e Shenjtë, të aftë të dallojnë se ku Ai po vepron në bashkësitë tona famullitare dhe në lëvizjet e ndryshme laikale kishtare që e pasurojnë Kishën tonë. Siç na kujtojnë Etërit e Kishës dhe Magjisteri bashkëkohor, Kisha nuk rritet me prozelitizëm, por me tërheqje [6].

Ungjilli shpallet para së gjithash përmes dëshmisë së ndritshme të një jete të dhuruar me koherencë, përvujtëri dhe gëzim: është gëzimi i meshtarit dhe i personit të kushtuar që është i lumtur për zgjedhjen e tij, që e bën të besueshme thirrjen e Hyjit dhe zgjon tek të rinjtë dëshirën për të ndjekur Krishtin.

Thirrjet janë para së gjithash një dhuratë e Hyjit që duhet lypur me përvujtëri dhe këmbëngulje (krh. Mt 7,7), prandaj u kërkoj të gjitha famullive, bashkësive rregulltare, lëvizjeve laikale dhe familjeve të Arqidioqezës që ta vazhdojmë këtë kërkesë të madhe në lutje gjatë dy viteve të ardhshme baritore, duke e bërë pjesë të qëndrueshme të jetës së përditshme.

Në veçanti, ju ftoj të rizbuloni lutjen e Kishës përmes Liturgjisë së Orëve, duke i kremtuar së bashku me të rinjtë dhe me mbarë bashkësinë e besimtarëve [7], në të gjitha realitetet famullitare dhe komunitare të Kishës sonë.

Në Katedralen e Shën Palit këto takime do të jenë:

– Çdo të mërkurë, ora 17:00: Adhurimi Eukaristik dhe Mbrëmësorja për thirrjet.

-Çdo të enjte në mbrëmje, pas Meshës së Shenjtë: Adhurimi Eukaristik dhe Rruzarja e Shenjtë e medituar.

U kërkoj gjithashtu Komisionit Dioqezan për Liturgjinë dhe Komisionit për Baritoren e Rinisë dhe të Thirrjeve që të kujdesen për këto kremtime liturgjike gjatë vitit, që mbartin një ftesë më të spikatur thirrje:

  1. Mesha e Shenjtë e Krizmës, një moment i fortë kungate meshtarake dhe lutjeje për thirrje të reja.
  2. E Diela e Bariut të Mirë (E Diela IV e Pashkëve). Ditë lutje e posaçme për thirrje
  3. Festa e Paraqitjes së Jezusit në Tempull (2 shkurt, Dita e Jetës së Kushtuar).
  4. Solemniteti i Krishtit, Mbretit të Gjithësisë, Dita Botërore e Rinisë në Kishat vendore.
  5. Përkujtimi i Paraqitjes së së Lumes Virgjërës Mari (21 nëntor).

Të gjitha këto jemi të thirrur t’i jetojmë, sipas fjalëve të Apostullit Pjetër, «me butësi dhe respekt, gjithmonë të gatshëm t’i përgjigjeni kujtdo që ju kërkon arsyen e shpresës që është në ju» (krh. 1 Pjt 3,15-16). Na kërkohen këmbëngulje në lutje, durim dhe besim në veprimin e padukshëm, por të fuqishëm, të Hirit të Hyjit, që vepron në zemrat e njerëzve.

Duke ju përshëndetur të gjithëve, familje, fëmijë, të rinj, katekistë, katekumenë, ju që po hidhni hapat e parë në fe dhe ju që po kërkoni me sinqeritet, ju ripërtërij ftesën që të jemi të hapur ndaj këtij angazhimi të madh të lutjes dhe të dëshmisë.

Zoti i Ringjallur vazhdon të trokasë në derën e shumë zemrave (krh. Zb 3,20): le t’i ndihmojmë këto zemra, me afrimitetin tonë të dashur dhe me lutjen tonë të vazhdueshme, që ata që Zoti thërret, t’a dëgjojnë, njohin dhe pranojnë me guxim zërin dhe thirrjen e Tij, që t’i përgjigjen me bujari profetike.

Ia besoj këtë ecje baritore Pajtores sonë, që veçanërisht e kremtojmë në këtë vit Jubilar Marian Nënës së Këshillit të Mirë, Nënës së meshtarëve dhe Nënës së të gjithë neve. Maria që sot festojmë të Ngritur plot Lavdi në Qiell, sepse pati guximin të shqiptonte “Po”-në e saj pa rezerva, le ta ruajë dhe ta ndriçojë çdo thirrje. Amen!

Me dashuri atërore ju jap bekimin tim, së bashku me familjet tuaja.

Tiranë, 15 gusht 2026
Në Solemnitetin e Zojës së Ngritur në Qiell.

+ Arjan Dodaj F.d.C.
Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrësit